![1-adnan-mehmeti]()
NGA DR. YLLKA FILIPI/Ditari poetik i Adnan Mehmetit i mbushur me udhëtime në Tokën e Premtuar, është një mozaik kulturor shumëngjyrësh, dekriptues i natyrës, detit, qiellit dhe tokës, për t’i dhënë substancë kuriozitetit të qenies humane përmes syrit zhbirues të shkrimtarit e poetit që depërton në histori, antikitet e trashëgimi kulturore dhe horizontit të pritjes duke hyrë si në ëndërr, në shtëpi të mermerta; breza magjikë me filigranë ari, brigje shkëmbore apo shpella ku burojnë ujërat hyjnore, aty ku prehen poetët, dehur në magji të gjelbër, festa dionisiake, homazhe, pikëllime, frikë, katastrofa natyrore e buzëqeshje që rrjedh që nga legjendat nën lupën poetike, magji e mrekulli natyrore të cilat poeti nuk i prekë me këmbë, por me shpirt. Ky libër është një ftesë për çdo kureshtar të përjetësisë dhe misticizmit të natyrës.
Nuk ishin vetëm romantikët dhe admiruesit e tyre që gjenin prehje e qetësi në gjirin e natyrës, me sa duket poetët e çdo kohe do të mbeten romantikë të përjetshëm. Po të huazonim P.B. Shellin (sipas romantizmit anglez) poetët janë legjislatorët anonimë të botës. Dhe sipas kësaj ligjësie rruzulli tokësor i ngjan një vegimi parajsor që shfaqet e rishfaqet në ëndrrat e njerëzimit mbarë.
Ky libër hap siparin e një shtegtimi nëpër çaste të paharruara të jetës duke shkelur në gjurmët e historisë amerikane, shqiptare e botërore, udhëtim pa infinit drejt Misisipi (Mississippi), Luisiana (Louisiana), Arkansa (Arkansas), Teksas (Texas), Alabama, Oklahoma, Ushington, (Washington, D.C.), Nevada, Nju Jork (New York), Merilend (Maryland), Masaçusets (Massachusets), Florida, Meksiko (Mexico), Kanada (Canada), Roud Ajland (Rhod Island), Nju Xhërsi (New Jersey), Pensilvania, Saint Martin (St. Martin), Kenektiket (Connectikut), Miçigan (Michigan)… e ndoshta ku i dihet në planete të tjerë të pashkelur ende nga njerëzimi, pasi poetët nuk udhëtojnë, poetët magjepsin hapësirat.
Buzëqeshja e lumit Misisipi, ky lumë – portë- e- parë për emigrantët evropianë dhe skllevëret e Afrikës, si edhe qyteti Xhekson (Jackson) ku rrjedh hijerëndë lumi Pearl, janë mbresat e para. Megjithë rebelimin e tij, lumi buzëqesh kryeneç, prej nga jo vetëm Mark Tueni por edhe poeti Adnan Mehmeti, kanë gjetur këtu frymëzimim për ta përjetësuar portretin e tij.
Lumi Misisipi kryeneç/ Nuk çlirohet nga dëshira e rebelimit. /… e mallkojnë këtë gjarpër/ U futet fushave, shtëpive …/ Duke u vjedhur ëndrrat, /Vetëm gratë e përdala, /Hedhin mbi valët e tij / Grimca nga dashuria
Ecim me një tjetër përshtypje:
Kujdes nga krokodilët! … u gjenda në qytetin Sulfur (Sulphur), banorët e saj në hell kishin hedhur krokodolin…
Luisiana është vendi i kulturave të ndryshme. Por, më të shquar janë grupet etnike kejxhën, pasardhësit e një grupi frëngjishtfolës akadians nga Kanadaja, dhe krëol, njerëz me gjuhë të përzier frëngjisht, spanjisht, karaibe, afrikane apo me prejardhje indiane…
Për t’iu bashkuar më tej Paradës Mardi Gras, ku ngjyra lejla qëndron për drejtësi, e gjelbra për besimin, dhe ari për pushtet.
Poeti, metafora dhe librat janë një trinom i shenjtë. I magjepsur nga madhështia e Bibliotekës-Muze të presidentit Bill Klinton, autori motivon qëllimin e këtij udhëtimi një javor në shtetin Arkansa të SHBA, vendi i parë në botë ku Miniera me diamant është e hapur për publikun, Kapitoll Hill dhe Biblioteka e Bill Klintoit, apo Tre shtëpitë-muze të presidentit Klinton, përmasa të një burrështeti të famshëm.
Qyteti është i frekuentuar nga turistët në katër stinët e vitit. Në rrëzë të malit, në qendër të qytetit është ndërtuar hoteli madhështor, aty ku i kalonte netët Al Kapono. Duke kaluar natën në këtë hotel të shtrenjtë, seç m’u kujtua poeti Dritëro Agolli me poezinë “Në krevatin perandor”-shkruan autori.
Çdo vizitor, kam bindjen, kur vjen për herë të parë, pyet: Pse ky objekt në formë të objektit të gjysmëkryer?
Ndërtesa simbolizon urën e ndërtuar për shekullin e ri, për shekullin XXI, që Bill Klinton arriti të ndërtojë, të ndërlidhë, të bashkojë dy shekujt, me veprën e tij të madhe. Të vjen ndërmend Pallati i ëndrrave të Kadaresë, veçse ndryshe, në invers, pro njerëzimit, pro lirisë:
Kati i parë,…Këtu zë vend të rëndësishëm Lufta e Kosovës, … refugjatëve shqiptarë në Kosovë; karvanet e tyre në ikje nga shtëpitë, malësorët me plisa të bardhë me pamje të trishtuar, fëmijë të zhveshur, gra shqiptare duke vajtuar, paramiletarë barbarë serbë, 78 ditë rresht të bombardimeve të NATOS mbi Serbinë, mbledhjet në Shtëpinë e Bardhë nga qeveria amerikane, fjalimet e Klintonit për popullin e Kosovës, … duke shtypur butonin, arrin të dëgjojë fjalimet më kryesore për vendimet e Klintonit për luftën…
… vazhdon me tablotë nga Lufta në Bosjnë dhe në Ballkan, për të vazhduar në Lindjen e Mesme, në Afrikë, etj. Vlen të përmendet se çdo gjë që është botuar për Klintonin, apo qoftë edhe ndonjë letër që ka marrë nga njerëz të ndryshëm: nga shkrimtarë, nga artistë, nga sportistë…mundesh të gjesh nëpër stendat e bibliotekës.
…
Kati i dytë, galeri të ndryshme. Udhëtimet e presidentit Klinton, pasionet e tij, sidomos në muzikë dhe sport, dhuratat e shumta dhe atraktive që ka marrë nga miq nga mbarë bota, etj., etj.
…
Kati i tretë, është privat dhe ruhet nga sigurimi shtetëror. Ka dalje private gjithashtu, shihet si në pëllëmbë kryeqyteti i bukur litel Rak (Little Rock).
…
Biblioteka posedon 2 milion fotografi, 80 milion faqe dokumentesh, 21 milion mesazhe dhe përafërsisht 80.000 produkte (sende, dhurata).
– Yll të vetmuar që shkëlqen mbi Shtetet e Bashkuara, e quan poeti Teksasin, lidhur me imazhin e kaubojit. Litarin e hedh lart në qiell, / Duke lëshuar një iso të shkurtër….
/ Kauboji i ngrysur/ Një re ogurzeze…/…Kafsha është e pushtuar/ Siç u pushtua kjo tokë me forcë. Vijojmë:
Alamo është shumë pranë qytetit të bukur dhe romantik, San Antonio… Kam shëtitur në shumë qytete, por për mendimin tim, është një ndër qytetet më të bukura në mbarë botën.
…
Roller Coasters një ndër lojrat tërheqëse më të shpejta dhe më të frikshme në jetën time. Një dëfrim i shfrenuar, i papërshkrueshëm gjatë “fluturimit” të çmendur, bashkë me fëmijët dhe gruan time.
“Kujtoni Alamon! /Një shtëpi e vjetër, / E zhveshur nga mobiljet, / Si klithmë që nuk ndalet. /…Fillon ngjarja e madhe / Sa dhembja e saj vrsastare. / Të kaluarën nuk e përfillin në Teksas.
Alamo – fortesë e qëndresës heroike në San Antonio (1836), nga dyqind burra të Teksasit, në përleshje për pavarësi. Të gjithë luftëtarët u vranë nga katër mijë ushtarë meksikanë. “Kujtoni Alamon!”, i referohet rrethimit të tyre. Dhe më tej:
“San Antonio”: /River Uolknëpër shekuj është si një lak /Mes për mes qytetit kalon si një fjongo e bardhë/ Lumi me shekuj nuk u pastrua aspak /Nga bekimet… (Aty gjindet Ura e Bekuar… sipas gojëdhanave, prekja e saj, sjell fat në dashuri…- Shënim i autorit).
Autori nuk mund të anashkalojë edhe katastrofat natyrore. Në Galveston në vitin 1900 nga uragani vdiqën mbi gjashtë mijë banorë të ujdhesës dhe kjo mbeti tragjedia më e madhe nga fatkeqësitë natyrore në SHBA.
Vijojnë vargjet tragjike në vazhdim: Lutet poeti, varen pemët, ngrijnë lotët nëpër degë…
“Pemët e rrëzuara”: /Lutjet e besimtarëve, / Varen në degët e pemëve, / ngrijnë në lot të akullt/…
Vjeshta ka qenë kurdoherë objekt frymëzimi për poetët:
“Vjeshta në Lufkin”, Simfoni, gjethe, fustan, vals… Në kopshtin tim gjethet bien një nga një nga pemët/ Si për t’u nënshtruar, /…Ndjeva dridhje të ftohtë … Gjethet i merr era, për të mos i kthyer. …/ …/…Gruaja veshur me fustan të verdhë, / Vjeshtës i thotë ndiqmë/ …/Me një vals rreth trupit të saj.
Vijojmë me “Sweet Home Alabama”. Ja si shprehet autori: Para së të bëhesha vizitor i Alabamës, më duhej që të bëhesha pak fëmijë, që brenda vetes, nuk e mbaja dot entuziazmin. Mbase isha bërë dhe një djalosh ëndërrimtar që në bankat e gjimnazit kërkon që të prekë tërë botën. Pse jo, dhe hënën dhe nëndetin. E kur një ditë prek një nga ëndrrat, atëherë dukesh se prek njëkohësisht një kokërr mollë të pjekur e të lakmuar nga të gjithë kalimtarët, por shumë më tepër shumë, shumëëëëëë. Vizita drejt Alabamës, tok me atë të Misisipit, ishte një dëshirë e vjetër. Kjo dëshirë e kahmotshme gjenezën e ka patur që kur isha gjimnazist. Oh, vitet rinore, të vikan këtu si një letër e largët që postjeri e ka harruar diku në sirtarët e një poste të largët e ja, një ditë kujtohet të ma sjellë. Nuk ka më pengje postjeri. Me kërshëri lexoja për ndasitë racore në shtetet jugore amerikane. Me ardhjen në Amerikë, m’u zgjua.
Në Alabama, ku të gjithë rrugët të çojnë drejt portit Mobil (Mobile), një nga qytetet më të vjetra në Shtetet e Bashkuara, një qytet që ka një bukuri të rrallë. Autori përmend Mobil i cili një kohë shërbeu si kryeqytet i kolonive franceze, si edhe Rosa Parks, simbolin e femrës afrikano -amerikane për të drejta të barabarta.
Vijojmë drejt historisë indiane në Oklahoma nga të cilat veçojmë:
Është shumë e vërtetë që edhe poetët kanë një kod mençurie për vetveten kur duam të flasim për jetën e tyre.
Nuk mund të njohësh Amerikën pa parë Oklahomën. Atje janë rrënjët e historisë jetike së saj. Madje duhet që ta shohësh pëllëmbë për pëllëmbë, plis më plis, gur më gur, ditë më ditë… Duke kujtuar këto të dhëna, mendja më shkon sigurisht edhe në Kosovën time të pasluftës dhe peripecitë që na sollën armiqtë dhe kundërshtarët politikë. Ashtu siç i tha jo kongresi amerikan para një shekulli për ndarjen e Oklahomës, ashtu tha jo edhe për ndarjen e Kosovës.
Duke kërkuar rrënjët e historisë së popujve të botës, autori grish der në dhimbje plagët e kombit të tij.
Presidenti Bush vendos një kurorë tek Varri i Ushtarit të Panjohur, në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.
Ndalemi tek Shtëpia e Bardhë. Gjatë luftës me Anglinë, në vitin 1812, u dogj, por u rindërtua duke ruajtur po të njëjtën arkitekturë: Uashingtoni është qytet që mban rekordin për monumente dhe muzeume. Ishin me interes vizitat tek Monumenti Uashington, Monumenti Xheferson, Monumenti Linkoln, Monumenti i Luftës së Dytë Botërore, Monumenti i Luftës së Koresë, Monumenti i Luftës në Vietnam,etj.
Poeti bëhet nostalgjik, i rikthehet shekujve:
I ulur në shkallët e Kapitol Hill, duke përcjellur koncertin, seç u riktheva në histori. Nga ky tempull i demokracisë ku fillimisht u “përshpërit” për një popull të vogël në Evropë, të rrethuar me armiq, tani në fillimin e shekullit të ri Njeriu numër 1 i Shteteve të Bashkuara, presidenti Xhorxh Bush, çonë në Tiranë një mesazh se Shqipëria dhe populli shqiptar është një realitet i ri politik në Ballkan dhe më gjerë.
Pë t’u ndalur në:
Ditën e të rënëve (Memorial Day) …drejt Arlington të Virxhinisë aty ku gjinden Varrezat…në anën tjetër të lumit Potomak përballë Uashingtonit. Atje flenë eshtrat e mëse 300 mijë amerikanëve të vrarë që nga Lufta Civile Amerikane rreth 150 vjet më parë.
Nuk ka sesi të mos i këndojë poeti mallit dhe brengës për vendlindjen e tij:“Zgjuar”: Në Luginën e Preshevës, …/ Njerëzit e mi të mirë …/…/ Lundrojnë ndër ëndrra të bardha. /Buzëqeshjet iu treten…/
Autori e përshkruan Las Vegas-in si qyteti i pagjumë…. Aty i thonë se ka edhe shqiptarë.
…bindesh se po iu ofrohesh “oazës së parajsës”. Palmat dhe bashkë me to mrekullitë në shkretëtirë…
Poeti fluturon për ca kohë me ëndrrat e bukurisë së qytetit… aq shumë drita. Drita. Drita. Vetëm drita. Darka romantike në katin 106, për çiftet që vallëzojnë në “qiellin e lumturisë”, duke zgjedhur simotrën e bukurisë së parajsës.
Por, ja edhe një befasi e këndshme. Alban – Albania. Teuta – Albania, Enis – Albania… a ka shqiptarë në Las Vegas? … vetëm në këtë Casino- mbi 70 shqiptarë:
Më tej rrjedh madhështore nëpër faqet e ditarit poetik, Ujëvara e Niagarës, aty ku bashkohet Qielli me Tokën. Pas Ujëvarës Viktoria në Afrikë është e dyta në botë. Ujëvara na foli shqip: “Mirë se vini në Niagara”. …me fuqinë e dallgëve që të gllabëronin në prehër, si në ëndërr…ishte simfonia… një magjepsje. Dhe kjo mrekulli luhet me mijëra vjet,
A është njeriu i lirë pranë natyrës? A është liria brenda njeriut apo jashtë tij? Kush e sjell lirinë të rënët apo të gjallët? Poeti aludon e vetvetishëm na vijmë ndërmend filozofët:
Njeriu-thotë Sartri, është i lirë, njeriu është liria! Në një frazë klasike ai thotë se njeriu është dënuar për të qenë i lirë… dhe se Liria është e tmerrshme! (Po, kështu kishte folur Kirkegardi për marramendjen e lirisë!)
Këtu kemi parasysh qenien në vetvete (l’en-soi) dhe qenien për vetveten (le pour -soi), pra njeriu krijon vlerat dhe nëpërmjet tyre vetveten si edhe imazhin e natyrës njerëzore. Brenda këtyre ligjeve universale alla-sartiane, autori ka
zgjedhur procesin e krijimit të vetvetes, jo vetëm për veten, por për të gjithë njerëzit.[1]
Zgjerohet panorama poetike me Merilendin dhe qytetin Baltimore që na kujton poetin e madh amerikan Edgar Allan Poe i cili botoi këtu librin e tij të famshëm “The Raver”.
Masaçustes, … “djepi i Lirisë”- kujton autori. Më tej sjell një panoramë të letërsisë amerikane të pasur me shkrimtarët që jetuan dhe krijuan në këtë vend: Edgar Allan Poe, si një nga poetët dhe shkrimtarët më origjinalë; poeten Emily Dickinson, e njohur me fatin e botimit të poezive të saj; Ralph Waldo Emerson poet dhe eseist; Henry Wadsworth Longfellow poet, edukator dhe përkthyes. Profesori i njohur, më 1873, ka shkruar një poemë të titulluar “Scanderbeg”, të shqipëruar nga Noli:
“Nga kështjella shpejt ka rënë/
Flamuri me gjysëm hënë,
/Edhe populli shikon…
Një vëmendje e rëndësishme në vepër i është kushtuar Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë në Boston për të nderuar Nolin dhe Konicën.
Në vitin 2001 u formua Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane. Si njerëz të letrave shqipe zgjodhëm pikërisht 22 marsin për të vizituar Bostonin, sepse lidhej me figurën e Fan Nolit. Katedralja e Shën Gjergjit është një vatër e emigrantëve shqiptarë. Që në hyrje të katit të parë, është i vendosur busti i Nolit, i derdhur në bronz…. Noli vazhdon të frymëzojë brezat. Tingëllon e gjallë edhe sot në Amerikë thënia e tij profetike “Rron or rron, e nuk vdes shqiptari!” Bashkërisht, anëtarët e shoqatës dhe bostonasit e vjetër e të rinj, shkuam tek varri i Fan Nolit dhe bëmë homazh nderimi duke vendosur lule. Varret e dy kolosëve, Fan Noli dhe Faik Konica, janë shumë afër njëri- tjetrit. Por, siç dihet, në vitin 1995, eshtrat e Faik Konicës u kthyen në atdhe e prehen në parkun e liqenit në Tiranë. Megjithatë, duke vizituar varrin e Nolit të madh, përkulesh edhe para varrit, ku pushuan për një gjysëm shekulli eshtrat e Konicës…
Vargjet në vijim i janë kushtuar Konicës dhe Nolit:
Kthimi i eshtrave të Faik Konicës në Atdhe:
Ti, nuk mbaje pasaportë, / As biletë udhëtimi. /Mbështjellë me flamurin kuq e zi… / I tretur për Shqipërinë…
– U vonova!
– U vonova, pëshpërite duke shpejtuar… Udhë e mbarë, Kostandin!
“Me Nolin në Boston” (Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston)
Me sytë e mi e pashë Nolin. /… shkallëve të Katedrales së Shën Gjergjit/ …/…/…/Duke u lutur për mëkatet tona:/ Kam festë sot, -tha. /Vijnë nga larg, shkrimtarët…
Panorama thyhet me magjinë e Orlandos dhe Disni Uorld (The Walt Disney World Resort), në Florida:
… si ajo kështjella Sindorella në Disney World, për t’u futur në botën magjike, në botën përrallore, në botën ku sundon lumturia. Një qytet utopik që “përshpejton për të nesërmen”…
Dhe: Hasta la vista Cancun – një ektazë turistike. Perla e Meksikos, zhytje në ujërat e Karaibeve. Është vërtet një moment, që të ndalet fryma, nga koloriteti i peshqve, koloriteti i botës detare-shprehet autori. Miliona peshq të afrohen dhe notojnë në drejtime të ndryshme.
Asgjë nuk mund t’i nxjerrë më shumë në dritë detyrimet pa fund që ka njerëzimi ndaj zbulimit të hyjnores, pasi konstatojmë se asnjë mjet tjetër nuk mund ta verifikojë këtë të vërtetë të madhe e të rëndësishme.[2]
Në këtë rrugëtim pa fund hasim Tulum, qytet i lashtë Mayan me mure të trasha…para viteve 300 para erës sonë, piramida dhe tempuj, një formë të shkruari përmes… hieroglifeve… matematikë… astrologji dhe: XCARET, ishull i dikurshëm i civilizimit Maya, i ndodhur në xhungël… ku humb nëpër shpellat mijëvjeçare; zhytesh në fund të oqeanit për t’u mahnitur me bukurinë e peshqve, i hap sytë nën det dhe sodit një “parajsë” të çastit.
Hasta la vista Cancun! –përsërit poeti.
Vijon udhëtimi për në Kanada dhe kthehesh në historinë evropiane. Niagra Fallas, Ontario, (CN Tower) ikonë e Torontos dhe simbol i Kanadasë.
Njuporti (Newport) me pallatet përrallore, nga ku futesh si në ëndërr në historinë e tyre të kahershme.
Vetiu të kujtohen nimfat e detit, Bijat e Nereut, Nerejdat në ujdhesat oqeanike: Le të ndalemi në njërën prej tyre. Shtëpia e mermertë, u ndërtua gjatë viteve 1888-1892, me më shumë se pesëdhjetë dhoma, e cila shërbeu vetëm si shtëpi vere dhe për koncerte.
Festat Dionisiake dhe Vreshtat popullore, Fort Adams, më tej, Koncert i Valëve, në Atlantic City, Dallgëzohen mendimet, imazhet…A lëviz natyra në mënyrë të verbër? Qiell-Tokë-Qiell…