Pas 8 vitesh në pushtet, Partia Demokratike ka festuar 23 vjetorin e themelimit në opozitë dhe pas shumë vitesh me një kryetar të ri.Ditëlindja e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar ka mbledhur shumë miq, themelues dhe anëtarë të rinj të PD-së. Nuk mungonin as diplomatë e drejtues të lartë të politikës si ambasadorë të SHBA e BE-së por edhe ish-partnerë e kundërshtarë politikë si Ilir Meta.Ka munguar kreu i qeverisë Rama i cili këtë herë ka qënë i justifikuar me vizitën e tij të njëkohëshme në Itali.
Ndërkohë mbërritja në sallë e ish kreut të Partisë Demokratike , Sali Berisha, është pritur me ovacione nga të pranishmit
Pas një dokumentari të rrugëtimit 23-vjeçar të PD-së, Lulzim Basha, lideri i ri i partisë që solli demokracinë premtoi të ardhme të sigurtë për demokratët. Një parti më të madhe e të hapur për tu rikthyer në vendin që i takon kësaj force.
“PD lindi dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe e të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe e integrimit, ppartia e interesit kombëtar, forca e shpresës dhe integrimit Europian të Shqipërisë. Në vitin e 23 të kësaj partie, kam nderin të kryesoj këtë kremtim, nder të cilin e përjetoj si përgjegjësi dhe të uroj të gjithë anëtarët e PD-së kudo që ndodhen për ditëlindjen e partisë sonë.
Kjo është një ditë për të kujtuar, për të nderuar, për të respektuar themelimin dhe themeluesit, shikojmë përpara dhe përshëndesim të ardhmen. Duke kaluar përpara syve të mendjes Dhjetorin e përmbysjes së madhe të vitit 1990, me flamurin kombëtar pa yll në duart e njerëzve të çliruar nga robëria, me himnin e plotë kombëtar në koret e gjokseve të tyre, me dy gishtat e fitores ngritur lart, dhe me thirrjet për herë të parë në gjuhën shqipe Liri-Demokraci. Nderimi dhe mirënjohja ime ju drejtohet të gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga më i vjetri tek më i riu”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe disa pjestarë të familjes politike të Partisë Demokratike, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë kësaj kohe. Basha kujtoi me mirënjohje Azem Hajdarin, prijësin dhe heroin e Lëvizjes studentore, Gramoz Pashkon, liberal-demokratin pa rekselansë dhe themeluesin e orëve të para të PD-së, Pjetër Arbnorin, “Mandelën” e Shqipërisë, simbolin e kurajos dhe urtësisë, Sokol Olldashin, nismëtarin, drejtuesin, deputetin, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur.
Por kreu i Partisë Demokratike nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe paraardhësin e tij, Ish kreun e PD-së, Sali Berisha, të cilin e ka cilësuar si liderin historik të demokratëve.
“Demokracia shqiptare dhe Sali Berisha janë një binom i pakrahasueshem, demokratët janë krenarë për Berishën që kanë patur një lider të këtyre përmasave.”- theksoi Basha.
Kreu i PD-së, Basha tha se sfida për të hapur një kapitull të ri dhe një histori suksesi të re në PD, është e madhe, por theksoi ai, është sfida e re e PD-së.
“Kjo është sfida jonë e re, për fillimin e ri, ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë, dhe në qeverisje me ide të reja. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë zonjë mes vendeve si motra.”- tha Basha, duke shtuar se kjo sfidë e re, po merr një përmasë të re, me çesjen e një Kuvendimi të madh të të gjithë anëtarësisë, për çfarë kemi bërë mirë, çfarë nuk kemi bërë mirë, dhe çafrë duhet të bëjmë me hapjen e fuqishmë të PD ndaj brezit të ri.
Ky 23 vjetor e ka gjetur PD në opozitë dhe para sfidave të mëdha përsa i përket riorganizimit të brendshëm të saj pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit.