Washington, 8 shkurt 2018/Ne ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar Wess Mitchell, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën. Kryeministri Haradinaj e vlerësoi lartë ndihmën e SHBA-së për Kosovën në çlirimin e saj dhe në shtetndërtim.
Kryeministri Haradinaj tha se prania afatgjate e SHBA-së në Kosovë, edhe diplomatike por edhe ushtarake, e ndihmon jo vetëm vendin por edhe gjithë rajonin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ai tha se përkrahja e SHBA-së për Kosovën në konsolidimin ndërkombëtar, rrugën e anëtarësimit në BE dhe në zhvillimin e saj ekonomik dhe demokratik si dhe forcimin e institucioneve, është e nevojshme.
Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova ka përshpejtuar përmbushjen e agjendës së saj të reformave evropiane duke punuar me përkushtim edhe në zbatimin e MSA-së që do ta ndihmojë në hapjen e kapitullit të ri të aplikimit për vendin kandidat për anëtarësim në BE. Kryeministri Haradinaj tha se dialogu me Serbinë është i paalternativë por theksoi se ai duhet të afatizohet dhe të përmbyllet me njohjen reciproke. Ai tha se përfshirja e SHBA-së në dialog është me rëndësi për të dhënë rezultate dhe për ta përmbyllur këtë proces.
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropë, Wess Mitchel, shprehu mbështetjen e vendit të tij në rrugën demokratike të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj takon Drejtorin e CIA, Mike Pompeo
Washington, 8 shkurt 2018/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot me Drejtorin e CIA, Mike Pompei.
Kosova dhe ShBA janë partnerë strategjik në shumë fusha e posaçërisht në atë të sigurisë. Kosova është e bekuar që nuk është e vetme në ballafaqim me sfidat rajonale dhe globale.
Haradinaj: Zëri i Amerikës ishte zë shprese në Kosovë
Washington, 8 shkurt 2018
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot “Zërin e Amerikës” dhe u takua me drejtuesit e tij, drejtorin ekzekutiv të Bordit të Guvernatorëve, John Lansing dhe drejtorin e Divizionit të Euro Azisë së VOA-s, Elez Biberaj.
Kryeministri Haradinaj e vleresoi lart punën e mediave ndërkombëtare në pasqyrimin e të vërtetës në botë dhe në ndërtimin e standardeve profesionale duke i dhënë fuqi zgjimit demokratik sidomos në Europën Juglindore. Ai tha se “Zëri i Amerikës” ka qenë një dritare e informimit për Kosovën në të kaluarën, posaçerisht në periudhën e luftës dhe ai sot luan një rol të rëndësishëm në proceset demokratike të Kosovës si dhe në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar dhe tolerante.
Kryeministri Haradinaj tha se mediat ndërkombëtare njëkohësisht luajnë një rol të madh dhe ndihmojnë edhe mediat lokale në krijimin e një mjedisi profesional dhe të pavarur.
Drejtori ekzekutiv i Bordit te Guvernatorëve, John Lansing, e mirëpriti kryeministrin Haradinaj dhe e vleresoi lart bashkëpunimin dhe mbështetjen që i jep medias. Ai foli edhe për ndikimin e VOA-s në botë por edhe në Kosovë.