-Kosova mirëpritet Strategjia e BE për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ministrja Hoxha: Sa më shpejtë që t’i kryejmë detyrat tona, më shpejt arrijmë integrimin/
PRISHTINË, 6 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, deklaroi sot se mirëpret Strategjinë e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilës është edhe Kosova.“BE na e ka hapur derën që të bëhemi pjesë e saj, por ne jemi ata që duhet të ecim nëpër këtë derë. Në këtë fazë kemi pritur që të specifikohen më konkretisht hapat rreth procesit integrues të vendit tonë, por, megjithatë rruga jonë drejt BE-së nuk ka alternative”, tha ministrja kosovare.
Ministrja Hoxha vlerësoi se është tejet pozitive që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces.
“Fakti që BE e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia për mua është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji”, theksoi ministrja.
Po ashtu, vijoi ajo, është tejet pozitive që BE kërkon kategorikisht që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje juridikisht të detyrueshme si parakusht për anëtarësimin e tyre në BE.
“Të gjitha detyrat që ne duhet t’i kryejmë janë të përcaktuara qartë në Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, Axhendën Evropiane për Reforma dhe Programin për Reforma Ekonomike. Ne vetëm duhet t’i zbatojmë këto dhe sa më shpejtë që këtë e bëjmë aq më shpejtë ecim përpara drejt anëtarësimit në BE”, është shprehur ministrja Hoxha.
Ajo deklaroi kështu pasi sot është bërë e ditur Strategjia e Bashkimit Evropian për zgjerim në Ballkanin perëndimor.
“Shfrytëzoj rastin të ftoj të gjitha institucionet e Kosovës që të jemi unikë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, sepse jemi popull dhe shtet evropian dhe nuk kemi ndonjë alternativë tjetër”, ka theksuar ministrja e Integrimit.
Ajo ka apeluar për konsensus ndër-institucional dhe një qëndrim të përbashkët mes qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe t’i jepet prioritet më i madh zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe reformave që duhet bërë.
“Vetëm kështu i shërbejmë qytetarëve tanë dhe vetëm kështu do të bëhemi pjesë e BE-së, aty ku e kemi vendin”, përfundon deklaratën ministrja kosovare Hoxha, e cila nesër do mbajë edhe konferencë shtypi.